Numri i përdoruesve të drogës po vjen në rritje, kjo gjë vërtetohet nga pacientët që kërkojnë ndihmë në shërbimin e toksikologjisë. Ndërkohë që mes 20 pacientëve të shtuar mbizotërojnë moshat e reja.

 

“Numri i përdoruesve të drogës është rritur. Kemi 18-35 vjeç që janë të shtruar”.

 

Shqetësim është edhe ulja e moshës së përdoruesve. Sipas mjekes toksikologe Amarda Gashi, nëse te shtruarit në pavionin e toksikologjisë janë 18 vjeç, përdorimi i drogës ka nisur disa vite para.

 

“Kokaina nis që në 12-13 vjeç, kjo sepse është ulur mosha e përdorimit”.

 

Në rritje është dhe përdorimi i substancave narkotike te vajzat e reja.

 

“Kokaina ka nisur të përdoret dhe nga vajzat të cilat vijnë në pavionin tonë për ndihmë”.

 

Rastet emergjente janë më të shpeshta gjatë fundjavës, kjo për shkak të festave të shfrenuara.

 

Mjekja toksikologe thotë se shpesh vijnë në gjendje më të rënduar për shkak të përzierjes së drograve të ndryshme me alkoolin.

 

Sipas të dhënave të shoqatave të cilat merren me rehabilitimin e përdoruesve të drogës, numri i tyre është rreth 60 mijë, prej të cilëve 8 mijë janë përdorues intervenozë./Klan News