Në një dalje për mediat këtë të hënë, Balla ka deklaruar se Qerim Ismailaj, aktualisht kryebashkiak i Mallakastrës do të rikandidojë në zgjedhjet e 14 majit. Balla u shpreh se lidhur me rastin e tij nuk ka vendim të gjykatës që t’i ndalojë rikandidimin. Më tej, Balla shtoi se fakti që dikush thirret në SPAK nuk të ndalon të kandidosh.

 

Qerim Isamilaj u denoncua nga Partia Demokratike se ka qenë i dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata e Kios në Greqi në vitin 2000.

 

“Kryetari i  Bashkisë së Mallakastrës nuk ka dënim dhe vendim të gjykatës që ta ndalojë të kandiojë. Nëse një qytetar shqiptar gjatë kohës në emigracion është dhunuar apo ka pasur një problem që nuk ka asnjë lloj dënimi për një vepër penale, janë çështje që çdo qytetar shqiptar në emigracion i ka vuajtur”, tha Balla.

 

Pyetje: Përse vendosni persona me precedent të tillë, nuk ka njerëz të tjerë në PS që mund të kandidojë?

 

Balla: Sot në SPAK janë thirrur shumë persona edhe drejtuesit më të lartë të politikës, kryetar partish. Zoti Bushi është thirrur në SPAK si person që ka dijeni për një çështje. Tani sipas jush nëse thirresh në SPAK nuk kandidon më? Jo. Historia që askush nuk thirrej nga Prokuroria ka marrë fund. Unë e përshëndes punën e zotit Dumani. Por fakti që thirresh në SPAK, nuk të ndalon të kandidosh. Ne kemi një ligj që përcakton qartë rastet e mos-kandidimit dhe ai ligj është i panegociueshëm për këdo. Thirrje ime për këdo që i ka shërbyer sigurimit të shtetit dhe është përfshirë në veprimtarinë e tij të mos kandidojë as për kryetar bashki dhe as për Këshilla sepse ligji do të funksionojë”, tha ai.

 

Pyetje: Krybashkiaku i Mallakastrës dhe të Krujës do të kandidojë?

 

Balla: Sa i përket rastit të Mallakastrës nuk ka asnjë ndalim dhe ai do të jetë kandidati ynë.

 

Pyetje: Emër të ri për Bulqizën. Lefter Alla pas hekurave?

 

Balla: Unë u thashë të gjejnë avokat. PS nuk është zyrë avokatie. Unë nuk komentoj asnjë deklaratë.