Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot pas vendimit të Koorporatës Energjetike Shqiptare për hapjen e tenderit për blerje energjie për 3-5 vjet.

 

Meta u shpreh se “kjo aferë e këtyre përmasave kolosale planifikon një vjedhje të përbindshme përsëri në një ndër sektorët më të abuzuar nga Rilindja, atë të energjisë elektrike”.

 

“Shqipëria ka prodhuar gjithmonë energjinë që i duhet për konsumatorët familjarë. Për shembull, në vitin 2021 ka prodhuar 5 terra megavat, nga 4.5 terra megavat që janë nevojat e vendit. Aktualisht, ne paguajmë 94.000 euro në ditë për anijet gjeneratorë të Vlorës, të cilat do duhet të prodhonin 100 megavat, pikërisht aq sa kërkohet të blihet me këtë kontratë korruptive. Në dokumentet e tenderit, çmimi i fiksuar i blerjes është 270 euro për megavat. Ndërkohë, që në bursë sot çmimi është 147 euro/megavat”, tha Meta.

 

Sipas tij, “KESH bën tender me çmim të fiksuar 270 euro/megavat, kur vetë Bashkimi Europian ka caktuar një çmim tavan 180 euro/megavat për deri në fund të vitit 2024”.

 

“Përse nuk pritet funksionimi i bursës së energjisë, i cili është një mekanizëm rregullator për blerjen e energjisë? Çfarë do të ndodhë në kohë prurjesh, kur edhe prodhimi i energjisë me kapacitetet aktuale të vendit, është shumë herë më i madh? Pra, i bie që KESH do të jetë duke shitur energji me 50 euro/megavat, e nga ana tjetër po KESH, për shkak të këtij tenderi korruptiv me çmim të fiksuar 3-5 vjet, do vazhdojë ta blejë me 270 euro/megavat”, tha Meta.