Lëvizja politiko-shoqërore-kulturore, e mbrujtur për pothuaj një shekull nga mendimtarë dhe veprimtarë të shquar shqiptarë, ndikoi në zgjimin e vetëdijes kombëtare. Ishte një përpjekje e tërë e këmbëngulëse e intelektualëve, letrarëve, ushtarakëve e të tjerë që krijuan një shtet nga hiri i rrënimit të një Perandorie dhe në mes të zjarrit të shteteve grabitqare përreth, shkruan Monitor në editorialin e fundit.

 

Pothuaj të gjithë të edukuar dhe me karrierë në perandorinë e Lindjes patën vizion dhe forcë t’i iknin kalbëzimit dhe të kërkonin aleanca me perandori të Perëndimit, për të siguruar të drejtën e krijimit të shtetit të tyre.Këtë sakrificë shekullore e njohim me emërtimin “Rilindja Kombëtare Shqiptare”, që u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë nga “plaku i urtë e mjekërbardhë” Ismail Qemal Vlora, i cili, po ashtu, braktisi një perandori dhe u vu në krye të përpjekjeve për të ndërtuar shtetin e ri shqiptar. Periudhë historike që të frymëzon. Rilindje e vërtetë.

 

 

Pas një shekulli të mbushur me luftëra dhe vuajtje, duke kulmuar me një nga regjimet më të egra diktatoriale, Shqipëria u duk sikur, më në fund, i tejkaloi stuhitë që historia i serviri, duke i hapur dyert drejt tregut të lirë, demokracisë dhe ëndrrës për t’u afruar me Perëndimin.

 

Por, sot, si asnjëherë tjetër, qytetarët e këtij vendi e shohin veten të lënë në baltë, nga ata që duhet të kujdeseshin për t’i bërë të ndiheshin mirë në vendin e tyre dhe për t’i drejtuar ata drejt këtij rrugëtimi.

 

Por, ja ku jemi sot, të zhvendosur drejt një kursi të panjohur dhe të padëshiruar nga qytetarët e këtij vendi, të drejtuar me ideologji dhe praktikë, që po kujdeset sistematikisht të zgjojë e ripërtërijë çdo fenomen të dëmshëm dhe rrënues për vendin i cili instaloi në Shqipëri diktatura komuniste.

 

I vetmi instrument i lirë, i mbetur për shqiptarët, është ironikisht ai që i ka përndjekur ata ndër shekuj, emigrimi masiv. Tashmë, nga një tjetër rilindje, e cila është në krye të vendit, po jetojmë një periudhë historike që na poshtëron dhe po komprometon çdo marrëdhënie të vendosur me Perëndimin..

 

Një tjetër rilindje, e cila duket se ia ka arritur me sukses t’i japë konotacion negativ, një prej fjalëve më të shenjta e të rëndësishme të historisë së vendit – asaj të Rilindjes së vërtetë.. 

 

Editoriali që botuam në “Monitor” para dy javësh, “Përtej së qeshurës…!”, synoi të përçonte mesazhin se kemi arritur në pikën ku nuk ka më shpresë në vullnetin politik.

 

Por, siç e shpreh një thënie, gjërat në Shqipëri nuk po shkojnë keq, ato po shkojnë edhe më keq. Në dy javë, ngjarjet precipituan aq shpejt sa tejkaluan mesazhin e editorialit që na duhet të qajmë me gjendjen tonë. Sot na duhet të themi që jemi në një gjendje ulëritëse, piskame, gërthitjeje.

 

Ngjarja më e fundit e një hetimi në SHBA të një zyrtari të FBI-së për akte të dyshuara korrupsioni apo marrëdhëniesh me oligarkë rusë – çështja McGonigal – ripërfoli në mediat ndërkombëtare Shqipërinë.

 

Krahas figurës së të akuzuarit, këtë herë nuk u shfaqën shqiptarët fakirë, që kalojë ilegalisht kufijtë e detet për të emigruar, as shqiptarët shkelës të ligjit që vjedhin banesa, e madje as shqiptarët e fortë që mbjellin e trafikojnë lëndë narkotike.

 

Imazhi shoqërues ishte i vetë kryeministrit të Shqipërisë, i përmendur si personazh takues i të akuzuarit.

 

Nuk po rendisim të gjitha elementet që kanë qarkulluar në shtyp këto ditë, mbi pagesat qindra mijë dollarëshe, pjesëmarrjen e shqiptarëve të tjerë në role të çuditshme, rrjetin e kompanive apo shitjes së kuotave të aksioneve me nga 1 dollar, etj.

 

As nuk do të përpiqemi të bëjmë ndonjë parashikim se si do të përfundojë kjo ngjarje. Por do të fokusohemi në tre elemente të rëndësishme që nxjerr në pah ngjarja:

 

Politika shqiptare abuzon së tepërmi, duke shpërdoruar para e duke premtuar favore, për aktivitete lobuese e ndërmjetës lobimi, prej të cilave, qartazi asnjëherë nuk është vepruar në të mirë të interesave kombëtare, por vetëm të pazareve të pushtetit.

 

Shumat e larta të lobimeve, apo favoret e premtuara, sigurisht që janë korruptim dhe nuk mund të kenë origjinë të pastër. Ato janë kosto e ekonomisë shqiptare.

 

Takime skutash të pabëra asnjëherë transparente, të emërtuara “lobim” me zyrtarë të tillë të shtetit më të fuqishëm të botës dhe partnerin kryesor strategjik të shqiptarëve, SHBA, krijojnë rreziqe për shtetin shqiptar, sigurinë kombëtare dhe interesat jetike të tij.

 

Nëse në SHBA, institucionet kanë vullnet dhe vëmendje që çdo zyrtar ta çojnë para drejtësisë, institucionet në Shqipëri janë shpërdoruar e dobësuar aq shumë nga pushteti, sa askush nuk guxon të nisë shqyrtime e hetime mbi bisedat që nivelet e larta të pushtetit shqiptar kanë pasur me këtë zyrtar të FBI-së.

 

A janë zbuluar, me apo pa dashje, informacione të sigurisë së vendit apo interesit ekonomik strategjik të vendit? Është pyetja kryesore që bëhet në një ngjarje e tillë dhe që detyrimisht kërkon përgjigje shteruese.

 

Përzierja e individëve të përfolur pikërisht në aktivitete ekonomike me burime strategjike nuk të lë shumë vend për dyshim. Dhe ju lutem të kursehet argumenti se lobohet për investime e investitorë strategjikë të huaj.

 

Modeli për thithjen e investimeve strategjike përsëri nuk janë takime të tilla të padeklaruara. Modeli i skutave premton vetëm korrupsion në procesin investues.

 

Përfolja në media botërore e termit “Shqipëri”, “shqiptarë” dhe “Kryeministër i Shqipërisë” tashmë ka krijuar një kosto shumë të madhe për të rregulluar emrin tonë.

 

Por jo vetëm. Ngjarja që ndërthur raporte skutash të pushtetarëve shqiptarë me zyrtarë individualë në SHBA krijon rrezikun e së anasjellës. Shqipëria e vogël dhe e drobitur nuk ka luksin të cenohet sadopak në adhurimin dhe respektin që ka për partnerin kryesor të saj, SHBA. 

 

Kjo është një nga ngjarjet që institucionet e drejtësisë do të duhet ta hetojnë me shumë seriozitet. Ndoshta është një nga ngjarjet, që vë në provë, edhe vetë seriozitetin dhe efektivitetin e Reformës në Drejtësi.

 

Sepse bëhet fjalë për interesa madhore të vendit, që dalin mbi interesat e pushtetit të skutave. Sepse po shpërdorohet sakrifica shekullore e Rilindësve të vërtetë!/MONITOR