Zvicra e futbollit është duke bërë mirë në vitet e fundit, teksa për ecurinë e tyre në Kupën e Botës është dedikuar edhe një dokumentar. Kapiteni i kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka është shprehur krenar që luan për zviceranët, teksa nuk ka harruar origjinën.

 

 

Formacionit helvet i është dedikuar një dokumentar me titull “The Pressure Game”. Materiali nuk është transmetuar i plotë, por është vendosur që të ndahet në pjesë. Në të katërtën seri të titulluar “Presioni i gjakut”, radhën për të treguar diçka nga vetja e kishte mesfushori shqiptar Granit Xhaka.

 

Regjisorët e dokumentarit kishin regjistruar fjalët e kapitenit Granit Xhaka nga shtëpia e tij në Londër. Mes temave të ndryshme Xhaka u ndal shumë mbi çështjen e dyshtetësisë dhe për mentalitetin shqiptar në familjen e tij.

 

“Jam krenar që luaj për Zvicrën, por origjina ime, gjaku im është nga Kosova”, ka thënë Xhaka.

 

Ai foli edhe për imazhin e tij në publik dhe për marrëdhëniet e tij me mediat.

 

“Nuk e kuptoj se përse shkruhen gjithmonë vetëm gjëra negative?”, ka pyetur futbollisti shqiptar.

 

E pashmangshme ishte tema e ndeshjes me Serbinë në Kupën e Botës.

 

“I kam vendosur vetes qëllim që të qëndroj pozitiv në fushë. Nëse mendoj se gjërat mund të shkojnë keq kam vendosur të shmangem”, tregon Xhaka.

 

Kapiteni ka zhvilluar plot 111 ndeshje me formacionin helvet, duke u treguar një lider i vërtetë.

 

“Nuk është e lehtë të luash në këtë nivel për dhjetë vjet. Por dikush duhet ta bënte këtë i pari…”, tregon Xhaka në fund të dokumentarit.