Njësoj si kryeministri Albin Kurti, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar sanksione nga partnerët ndërkombëtarë ndaj Serbisë, e cila po tregon se nuk është e gatshme të zbatojë marrëveshjen e arritur në Ohër.

 

Osmani deklaroi se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë presion mbi Serbinë që të respektojë obligimet për të cilat kanë rëndë dakord.

 

 

“I gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet që i ka ndërmarrë. E kuptoj që nënshkrimi si i tillë nuk është i domosdoshëm për ta bërë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. I gjithë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë te Vuçiçi që për ato të cilat ai është dakorduar e që në esencë përbëjnë njohje “de facto” të Kosovës, sepse kur ia njeh dikujt sovranitetin e integritetin. Këto janë elementet kryesore të shtetësisë. Mungon vetëm një letër njohjeje që ende nuk e ka nënshkruar. Duhet të ketë penalizim të qartë për Serbinë”, tha Osmani.

 

Presidentja shton se Serbia akoma pa mbushur 24 orë nga akordi në Ohër tregoi që premtimet që i kanë dhënë në kuadër të dialogut nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike as juridike. Dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar se nuk do t’i zbatojë obligimet që dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi.