Dy spanjollët shokë me njëri-tjetrin kishin rreth 1 muaj e gjysmë që qëndronin në Karavasta të Divjakës. Ata kishin ardhur nga vendlindja e tyre, në këtë zonë për të punuar.

 

“Dy spanjollët punonin në serat e Karavastasë prej 10 hektarësh, njëri si saldator dhe tjetri si elektriçist në montimin e tubave. Ata njiheshin si njerëz të qetë dhe të mirë, që shkonin madje dhe me vendasit.”

 

“Shumë s’komunikonim me ta sepse s’dinim gjuhën, por dukeshin djem të mirë. Shumë të qetë, punëtorë. Tërë kohës ishin në humor.”

 

Dy spanjollët kishin eksperiencë në ndërtimin e serave diellore dhe kishin ardhur për t’i ngritur ato me një teknologji të re.

 

“Kjo është sera ku dy spanjollët po punonin. Teknologjia spanjolle ka bërë të mundur që sera të jetë ndryshe nga të tjerat. Ka një lartësi prej 5 metrash, është e ajrosur mirë dhe ka një teknologji të kohës së fundit.

 

Të Martën pasi mbyllën punën, 47 vjeçari Francisco Cervilla dhe shoku i tij Oskar Valesco shkuan në këtë hotel ku qëndronin. Në orët e mbrëmjes, pasi konsumuan një kafe, të dy u ngjitën në dhomën e tyre.

 

47 vjeçari kishte hyrë për t’u larë në momentin që po bënte dush dhe dyshohet se është vetëvrarë duke prerë me thikë damarët e duarve. Ishte shoku i tij 41 vjeçar ai që e gjeti të pajetë viktimën dhe njoftoi policinë. Velasco u shoqërua në polici për ngjarjen ku u mor në pyetje. Në dëshminë e tij 41 vjeçari tregoi se viktima kishte probleme familjare pasi ishte divorcuar dhe kjo mund ta ketë shtyrë të vetëvritet në Karavasta.

 

Pavarësisht se ngjarja u raportua si vetëvrasje, uniformat blu po hetojnë edhe për lidhjen mes dy shokëve dhe nëse ata kanë patur ndonjë konflikt me njëri-tjetrin./Klan News