Rojet private të diktatorit koreano-verior, Kim Yong-un, mund të përballen me ekzekutim. Shkak janë bërë disa foto që kanë qarkulluar së fundmi nëpër mediat botërore, ku lideri famëkeq duket me disa njolla në xhupin e tij, gjatë inspektimit të një lëshimi rakete javën e kaluar.

 

Kjo ka shkaktuar frikë te stafi i Kimit, ku mendohet se përgjegjësi për këtë gjë do ndëshkohet.

 

Eksperti mediatik i Koresë së Veriut Michael Madden tha se ata që janë përgjegjës përballen me ulje në detyrë ose punë të rëndë, por edhe ekzekutimi nuk mund të përjashtohej.

 

“Personeli që ka irrituar liderin suprem dënohet zakonisht me ulje në detyrë ose detyra të rënda. Nuk ka gjasa që dikush të goditet për diçka të tillë, përveç nëse lideri ndihet veçanërisht i zhveshur. Personat përgjegjës ndoshta do të dërgohen në një kantier ndërtimi ose një fermë për një ose dy muaj për këtë shkelje të vogël, por nuk është e padëgjuar që të dënohen me ekzekutim. Ka rrëfime se babai i liderit, Kim Yong-il, ka dërguar truproja dhe anëtarë të stafit të tij personal në burgje dhe në një rast dikush është pushkatuar për shkelje shumë të vogla. Një histori e pakonfirmuar është se një anëtar i stafit të tij personal u ul në tavolinën e tij dhe piu një nga cigaret e tij. Kim Yong-il e zbuloi këtë dhe e vrau”, ka thënë Michael Madden.

 

Madden, i cili drejton uebsajtin e Koresë së Veriut Leadership Watch, tha se fajtorët mund të shkruajnë një letër falje për të minimizuar dënimin e tyre.

 

Por ai tha se ishte gjithashtu e mundur që Kim ta anashkalojë këtë gjë pasi ai është shumë më pak i prirur ndaj ndryshimeve të humorit dhe problemeve emocionale sesa babai i tij.