Pesë emigrantë nga Afrika Sub-Sahariane janë mbytur dhe 28 të tjerë janë zhdukur pasi varka e tyre u përmbys në brigjet e Tunizisë, sipas aktivistëve nga Forumi Tunizian për të Drejtat Sociale dhe Ekonomike (FTDES).

 

“Pesë trupa emigrantësh janë gjetur dhe pesë emigrantë të tjerë janë shpëtuar, por 28 janë ende të zhdukur,” tha Romdhane Ben Amor nga Ftdes, duke shpjeguar se mjeti u mbyt “për shkak se ishte i mbingarkuar”, me 38 persona, kryesisht nga Bregu i Fildishtë. Ata ishin larguar nga rajoni bregdetar i Sfaksit në drejtim të Lampedusës. Mbytja e anijes së mbrëmshme është e fundit në një seri të gjatë tragjedish në rrugën qendrore të Mesdheut, e konsideruar si më vdekjeprurësja në botë.