Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale momente nga puna transformuese në QSUT, ndërsa solli në vëmendje situatën në të cilën gjendej shëndetësia disa vite më parë.

 

Kryeministri Rama ishte dje i pranishëm në përurimin e Spitalit Qendror në QSUT, një nga veprat më të mëdha infrastrukturore në shëndetësi, me një vlerë investimi rreth 17 milionë euro.

 

“Nga tezgat gjithëfarësh e deri te vendkullotja e gjësë së gjallë që gjetëm në QSUT, rilindja e shërbimit shëndetësor publik është jetësuar edhe me veprën më të madhe të shëndetësisë së dekadave të fundit, që e ngre në një nivel krejt të ri cilësinë e shërbimit mjekësor për qytetarët”, u shpreh ai.

 

Spitali i ri Qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka hapur dyert e shërbimit për pacientët, duke nisur një epokë të re në standardin e ofrimit të shërbimeve për mjekësinë shqiptare.

 

Spitali Qendror ka një sipërfaqe ndërtimi 23,290 m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, rheumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

 

Në spitalin e ri do të shërbejnë 612 mjekë, infermierë e profesionistë të shkencave mjekësore, gjithashtu koordinatorë e punonjës mbështetës./ATSH