Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi informoi sot në Kuvend se së shpejti do të miratohet kredia studentore, ku për herë të parë studentët do të kenë të drejtë të marrin kredi.

 

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Kushi përmblodhi disa fakte të mbështetjes së qeverisë ndaj studentëve. Ajo u shpreh se karta e studentit siguron një sërë mbështetje nga bashkia e Tiranës për studentët.

 

“Rritja e pagës minimale, kompensimi i energjisë elektrike, rritja e pagës për mësuesit, infermierët, mjekët, ushtarakët, rritja e ndihmës ekonomike, mbështetja për fermerët etj, janë mbështetje që u jepet familjeve shqiptare, përfshirë edhe familjet e studentëve”, tha ajo.

 

Por sipas saj, studentët përfitojnë edhe mbështetje direkte.

 

“Bashkia e Tiranës në fillim të këtij viti akademik ka vendosur përgjysmimin e tarifave për të gjithë studentët që akomodohen në konvikte. Ka ofruar abone falas për të gjithë studentët. Ne kemi draftuar edhe një vendim për kredinë studentore. Për herë të parë studentët do të kenë të drejtë të marrin një kredi. Ne jemi drejt përfundimit, draftin e kemi gati dhe besoj se për një periudhë 2-mujore të gjithë studentët do të kenë të drejtë të marrin kredi”, tha ajo.

 

Kushi theksoi se “të gjitha investimet tona për infrastrukturën e kampuseve universitare janë mbështetje e drejtpërdrejtë për studentët”.

 

“Kemi kampusin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. 19 godina të rikonstruktuara dhe 3 godina të reja në Qytetin Studenti me standardet më të mira dhe me eficencë energjetike. Në Universitetin e Mjekësisë kemi 2 rezidenca të rehabilituara. Mbështetja jonë do të vazhdojë”, tha ajo.

 

Kushi theksoi po ashtu se “politika jonë bazë, ndërkombëtarizimi, në thelb ka mbështetjen për studentët”. “Familjet shqiptare do të kenë barrë më të ulët financiare, pasi nuk do të kenë nevojë të dërgojnë studentët jashtë vendit”, theksoi ajo.