Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen, do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Shqipëri me ftesë të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në datat 26-28 mars, gjatë së cilës do të jetë i shoqëruar edhe nga zonja e parë, Doris Schmidauer.

 

 

Presidenti Begaj do ta mirëpresë Presidentin Van der Bellen në Institucionin e Presidentit më datë 27 mars, në një ceremoni shtetërore dhe ndër të tjera është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e dy presidentëve, për të cilën do të informoheni më gjerësisht ditët në vijim.Përgjatë vizitës shtetërore Presidenti Van der Bellen do të zhvillojë takime të nivelit të lartë, si dhe do të marrë pjesë së bashku me Presidentin Begaj në një forum ekonomik me përfaqësues të biznesit austriak në Shqipëri.

 

Vizita është tregues i mbështetjes së Austrisë për Shqipërinë por edhe ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

 

Kjo vizitë vjen 9 vjet pas asaj së ish-Presidentit austriak Heinz Fischer në Tiranë.