Sytë mund të ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes Alzheimer përpara se të fillojnë simptomat. Në këtë përfundim ka arritur një studim i fundit, i cili ekzaminoi indet e retinës dhe trurin e 86 njerëzve me shkallë të ndryshme të rënies mendore. Sipas studimit një ditë mjekët mund të përdorin testet e syve për të identifikuar rënien njohëse menjëherë pasi të fillojë.

 

“Studimi ynë është i pari që ofron analiza të thella të profileve të proteinave dhe efekteve molekulare, qelizore dhe strukturore të sëmundjes së Alzheimerit në retinën e syrit të njeriut dhe se si ato korrespondojnë me ndryshimet në tru dhe funksionin njohës. Këto ndryshime në retinë lidhen me ndryshimet në pjesët e trurit të quajtura korteks entorhinal dhe temporal, një qendër për kujtesën dhe perceptimin e kohës”, tha një nga autorët e studimit.

 

 

Sipas studiuesve, sëmundja e Alzheimerit fillon në tru dekada përpara simptomave të para të humbjes së kujtesës. Sipas mjekëve sëmundja ka avancuar shumë nga koha kur preken kujtesa dhe sjellja.

 

“Syri është dritarja në tru. Ju mund të shihni drejtpërdrejt në sistemin nervor duke parë në pjesën e pasme të syrit, drejt nervit optik dhe retinës”, u shpreh okulistja Dr. Christine Greer, drejtore e edukimit mjekësor në Institutin për Sëmundjet Neurodegjenerative në Boca Raton në Florida.

 

Nëse mjekët janë në gjendje të identifikojnë sëmundjen në fazat e saj më të hershme, njerëzit mund të bëjnë zgjedhje të shëndetshme jetese dhe të kontrollojnë “faktorët e rrezikut të modifikueshëm, si presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe diabeti”, theksoi neurologu Richard Isaacson.

 

Studiuesit në studim mblodhën mostra të retinës dhe indeve të trurit gjatë 14 viteve nga 86 donatorë me sëmundjen e Alzheimerit dhe dëmtim të lehtë njohës, grupi më i madh i mostrave të retinës të studiuara ndonjëherë.

 

Ata më pas krahasuan mostrat nga donatorët me funksion normal njohës me ata me dëmtim të lehtë njohës dhe ata me sëmundjen e Alzheimerit në fazën e mëvonshme.

 

Studimi i botuar në shkurt në revistën Acta Neuropathologica, zbuloi rritje të konsiderueshme në beta-amiloide, një shënues kryesor i sëmundjes së Alzheimerit, tek njerëzit me Alzheimer dhe rënie të hershme njohëse.