Fituesi i Kupës së Botës me Italinë, Alessandro Altobelli beson se Interi duhet të rikthejë Antonio Conten ose Jose Mourinhon nëse Simone Inzaghi largohet.

 

Nerazzurrët janë kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe gjysmëfinale të Kupës së Italisë, por janë 21 pikë mbrapa liderit të tabelës, Napolit.

Inzaghi është nën presion me nëntë humbje në Serie A këtë sezon dhe e ardhmja e tij në klub është e pasigurt pavarësisht se kontrata skadon në qershor të 2024.

“Interi ka një ekip të mirë, por unë nuk jam i kënaqur me rezultatet”, ka thënë  ish-sulmuesi i Interit dhe Italisë, Altobelli për Tuttosport.

“Nuk mund të humbësh nëntë ndeshje nga 27 në Serie A. Gjithashtu nuk më pëlqen fakti që ata kanë pranuar shumë gola. Nerazzurrët nuk po tregojnë vlerën e tyre aktuale”.

“Inzaghi ka fituar tre trofe dhe është kualifikuar në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, por unë ende mendoj se ai duhet të synojë më shumë me këtë ekip”.

Thiago Motta është një nga pasardhësit e mundshëm të Inzaghit, por fituesi i Kupës së Botës së vitit 1982, Altobeli beson se ish-lojtari i Italisë ka nevojë për “më shumë përvojë” përpara se të emërohet nga Nerazzurri.

Pra, kush mund ta zëvendësojë Inzaghin nëse ai largohet në verë?

“Nuk do të isha i sigurt mes Contes dhe Mourinhos. Mendoj se janë dy trajnerë të mëdhenj, kanë fituar tashmë te Interi dhe jam i sigurt se do të sjellin më shumë trofe”, përfundoi legjenda italiane.