Certifikimi i prodhimeve bujqësore me “Global GAP”, është një patentë për eksporte të sigurta dhe me vlerë të lartë.
Qeveria për të katërtin vit radhazi vijon të mbështesë certifikimin e produkteve bujqësore me standardet europiane, si faktor i rëndësishëm në nxitjen e eksporteve të sigurta “Made in Albania”, drejt tregjeve ndërkombëtare.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se, skema Kombëtare për bujqësinë në vitin 2023, adreson subvencionimin e fermerëve për implementimin dhe certifikimin me Global GAP të produkteve bujqësore, në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore”.
Krifca informoi se përfitojnë financim, të gjithë fermerët që aplikojnë për certifikimin Global GAP, deri në 175 000 lekë, për sipërfaqe të mbjellë me perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në jo më pak se 1 hektarë dhe jo më shumë se 500,000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.
Vitin e kaluar Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë, kualifikoi përfitues të financimit të 65 subjektet që aplikuan për certifikimin “Global Gap”.
Në Skemën Kombëtare përfshihet Masa 6 për “certifikimin Global GAP”, krahas tetë masave të tjera.
Aplikimet në Skemën Kombëtare 2023 janë çelur në 20 mars dhe vazhdojnë deri më 11 prill.