Në videomesazhin e kësaj jave, i cili u fokusua te rritja e ekonomisë së Tiranës vitet e fundit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se një prej fushave ku po investohet më shumë është ajo e teknologjisë së informacionit.

 

Për këtë qëllim, për pak javë hapet Piramida e Tiranës, e cila do të jetë qendra më e madhe digjitale në rajon.

 

Por, veç saj, për të thithur sa më shumë kompani në fushën e inovacionit po hapen edhe shumë hapësira të tjera, si Tirana Techno Hub, apo edhe Zona e Lirë Ekonomike në Kashar, si dhe klasat e Kodimit dhe Inteligjencës Artificiale.

 

“Të rinjtë e Tiranës po kalojnë dita-ditës më shumë kohë në Metaverse, Chat-GPT, duke folur për Blockchain dhe duke u aftësuar në fushën e kodimit dhe Inteligjencës Artificiale. Për Tiranën kjo është një mundësi fantastike për ta diversifikuar ekonominë dhe punësimin, duke e përshpejtuar zhvendosjen nga fasoneria dhe call-center, tek kodimi, teknologjia dhe inovacioni. Kjo shpjegon pse një nga pronat më të mira të qytetit, në mos më e mira, siç është Piramida e Tiranës, për pak ditë hapet si Qendra më e madhe e Teknologjisë dhe Inovacionit, ndoshta më e madhja në rajonin tonë, në Ballkan. Një ekosistem që do të akomodojë startup-e, inkubatorë dhe akseleratorë të biznesit, më e mira në rajon. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të mbështetur sipërmarrësit e rinj, por edhe për të aftësuar të rinjtë në fushën e teknologjisë dhe në punët e së ardhmes”, u shpreh Veliaj.

 

Ai tha se Piramida do të jetë shtëpia e re e TUMO-s, një qendër inovative që nxit kreativitetin dhe ndërtimin e aftësive teknologjike për fëmijët dhe adoleshentët, e cila operon tashmë prej 3 vitesh dhe ku janë aftësuar 2,200 nxënës.

 

“Ky është vetëm fillimi, në një botë që po bëhet gjithnjë e më e lidhur dhe më e ndërlidhur, qëllimet tona janë edhe më ambicioze. Mbi 40 shkolla të reja, Piramida, Kampusi Universitar, Klasat e Kodimit dhe Inteligjencës Artificiale janë pjesë e paketës së investimeve që po bëjmë çdo ditë për brezin e ri, ata që do të drejtojnë Tiranën e 100 viteve të ardhshme. Për 5 vitet e ardhshme bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Qeverisë dhe kryeministrit Rama ka marrë statusin e zhvillimit të Zonës së Lirë Ekonomike, në periferi të Tiranës, e njohur si TEDA Tirana, ku përmes incentivave të duhura do të tërheqë kompani të mëdha botërore, kryesisht të specializuara në fushën e teknologjisë, transformimit digjital dhe sigurisë kibernetike. Si pjesë e vizionit tonë për 5 vitet e ardhshme kemi në plan të hapim Tirana Techno Hub, një strukturë moderne me një sipërfaqe prej 5000 metrash katrorë dedikuar fuqizimit dhe promovimit të inovacionit, startup-eve dhe teknologjisë”, theksoi Veliaj.

 

Ai tha gjithashtu se pjesë e këtij ekosistemi të teknologjisë dhe inovacionit do të jetë edhe vetë bashkia e Tiranës, duke digjitalizuar 100% të shërbimeve./ATSH