Mbi 20 mijë të moshuar kanë marrë në një muaj fishat e diabetit me rimbursim, sipas protokollit të mjekut të familjes, ashtu siç përfitojnë paketën e plotë të trajtimit falas.

Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë vizitës në qendrën shëndetësore Ndroq, Tiranë.

“Gjyshet dhe gjyshërit janë të lehtësuar tashmë nga pagesat për fishat e diabetit, të cilat rimbursohen nga shteti për çdo të moshuar mbi 65-vjeç”, tha Manastirliu.

Manastirliu theksoi se “është shumë e rëndësishme që të gjithë pacientët që ju ndiqni që janë me diabet qoftë me terapi orale, qoftë me insulinë ti njoftoni për të ardhur për të marrë recetën dhe më pas për të tërhequr fishat e diabetit”.

“Jemi duke vijuar me ritme të shpejta për të organizuar të gjithë punën për të mos pasur asnjë pengesë, në mënyrë që kur të vijnë të marrin barnat me rimbursim dhe recetën për fishat e diabetit dhe të plotësojnë ciklin e trajtimit dhe kontrollit periodik që duhet për çdo njeri që vuan nga diabeti”, u shpreh Manastirliu.

Mjekët thanë se, paralelisht me terapinë të moshuarit po marrin edhe fishat.

Gjatë bashkëbisedimit me të moshuarit, Ministrja Manastirliu u shpreh se me këtë vendim të qeverisë që tashmë po gjen zbatim në të gjithë vendin, u kursehet të moshuarve rreth një pension mujor në vit.

Pacientët me diabet përfitojnë trajtimin e plotë falas, me një financim të barnave me rimbursim në vlerën 2.2 miliard lekë/vit. Rimbursimi i fishave të diabetit nisi për grupmoshën 0-18 vjeç në vitin 2018. Me pas u zgjerua edhe për të rinjtë deri 25 vjeç.

Nga 27 shkurti 2023, fishat për matjen e glicemisë përfitohen në të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur me kontrate me FSDKSH, edhe nga të moshuarit +65 vjeç. Janë 50 mijë qytetarë që përfitojnë fishat e diabetit me rimbursim.