ORF – Österreichischer Rundfunk, media më e madhe në Austri i ka kushtuar një kronikë të gjatë lumit Vjosa, i shpallur Park Kombëtar.

 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale kronikën e shfaqur në median austriake.

 

“Me pamjet magjepsëse të Vjosës në ditën e shpalljes Park Kombëtar, ORF – Österreichischer Rundfunk – media më e madhe në Austri i kushtoi së fundi këtë kronikë të gjatë gjithë përpjekjes sonë për ta ruajtur të paprekur dhe të bukur siç është, por edhe për ta promovuar ndërkombëtarisht modelin unik në Europë të një Parku Kombëtar të një Lumi të Egër”, theksoi Kumbaro.

 

Në 13 mars lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.

 

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

 

Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.