Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër-falënderimi nga presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, për ndihmën dhe mbështetjen kosovare për tërmetin që goditi pjesë të Türkiyes jugore më 6 shkurt.

 

Presidenti Erdoğan në letrën e tij drejtuar presidentes Osmani ka thënë se përpjekjet e ekipit kosovar të kërkimit dhe shpëtimit për të shpëtuar jetët e njerëzve të bllokuara në rrënoja “do të kujtohen gjithmonë me mirënjohje”.

 

“Do të doja t’ju falënderoja në emër të kombit tim dhe emrin tim personal që keni ndarë dhimbjen tonë dhe keni dhënë mbështetje në një kohë të shkurtër duke dërguar mesazh ngushëllimi për tërmetet në Kahramanmaraş, të cilët prekën drejtpërdrejt dhjetë provinca me një fuqi shkatërruese që shkaktuan dhimbje të thellë për vendin tonë. Fakti që vendet mike na qëndrojnë pranë në raste të tilla të fatkeqësive natyrore na jep forcën për të duruar”, thuhet në letrën e presidentit Erdoğan.

 

Më tejm në letrën e presidentit Erdoğan thuhet se ndihma e Republikës së Kosovës ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit.

 

“Përpjekjet e ekipit tuaj të kërkimit dhe shpëtimit për të shpëtuar jetët e njerëzve të bllokuara në rrënoja do të kujtohen gjithmonë me mirënjohje”, theksoi presidenti turk Erdoğan.

 

Në fund, Erdoğan përsëriti urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë e homologes kosovare, si dhe për "mirëqenien dhe prosperitetin e popullit mik e vëllazëror të Kosovës”.

 

Më 6 shkurt, dy tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 goditën 11 provinca turke, duke prekur më shumë se 13,5 milionë njerëz në Türkiye, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore./AA