Çdo ditë, para se të fillojë mësimi, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani” ujisin bimët e mbjella nga ata në miniserrën e shkollës,  duke e nisur ditën me energji pozitive.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi vizitoi miniserrën e kësaj shkolle ku u takua edhe me disa nxënës dhe mësuese gjatë orës së praktikës.

 

“Në miniserrën e shkollës 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani” Tiranë, ku është zbatuar një model shumë i mirë i projektit “Toka në Shkollë”, si një nga nismat tona më të dashura për nxënësit, mësuesit, por edhe prindërit dhe komunitetin,” shkruan ministrja në rrjetet sociale, ndërsa ndau momente të vizitës në këtë shkollë.

 

Në miniserrën e shkollës “Sabaudin Gabrani” bashkë me nxënësit janë angazhuar edhe prindër e gjyshër të nxënësve, të cilët ndajnë përvojën e tyre bujqësore me fëmijët.

 

Sipas drejtoreshës së shkollës, prodhimet e miniserrës do të bëhen pjesë e një panairi, i cili synon të zhvillojë edhe aftësitë sipërmarrëse tek nxënësit. Të gjitha të ardhurat planifikohen të përdoren për pasurimin e lulishtes së shkollës.