Qeveria Shqiptare ka miratuar dokumentin kombëtar “Për Vlerësimin e Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror”, një dokument i rëndësishëm që forcon sistemin kombëtar të Mbrojtjes Civile.

Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë mbështet Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në zbatimin e strategjisë së re kombëtare për menaxhimin dhe zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë të miratuar një muaj më parë.

Këto dokumente janë jetike për parandalimin, përgatitjen dhe reagimin nga fatkeqësitë në Shqipëri dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Dokumenti kombëtar “Për Vlerësimin e Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror” i hartuar nga AKMC me mbështetjen e projektit të UNDP-së RESEL, i cili financohet nga Ambasada Suedeze në Tiranë dhe qeveria Portugeze, ka përgatitur edhe gjashtë dokumente vlerësimi tematike për secilin prej rreziqeve madhore të identifikuara përmbytjet, tërmetet, rrëshqitjet, risqet teknologjike, zjarret dhe sëmundjet infektive.

Gjetjet e Vlerësimit të Riskut nga Fatkeqësitë do të lehtësojnë zbatimin e strategjisë kombëtare të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe planin e tij të veprimit, i cili parashikon masa dhe veprime konkrete në reagimin mbrojtës të vendit ndaj fatkeqësive.

Ky dokument dhe mësimet e nxjerra gjatë këtij procesi do të shërbejnë si udhërrëfyes për njësitë e qeverisjes vendore për të përgatitur dokumentet vendorë strategjikë të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë./ATSH