Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se Shqipëria po vuan nga shpopullimi si asnjëherë në histori që nga viti 1870.

 

Në konferencën për mediet, Berisha tha se Shqipëria në 8 vite ka humbur 1 milion shqiptar ose 35 % të popullatës.

 

Sipas Berishës largimi i shqiptarëve nga vendi vjen nga pasiguria sepse vetëm në vitin 2015 në mos gaboj, janë arrestuar 37 mijë shqiptarë.

 

“Vetëm në një vit, në vitin 2015 në mos gaboj, janë arrestuar 37 mijë shqiptarë. 80 përqind u arrestuan për çështje civile, që nuk mund të ndodhë përveçse në atë vend që nuk njeh ligjin, përveçse aty ku bëhet gjithçka për të dhunuar qytetarin, për t’i nxirë jetën, për t’i bërë të pamundur që të jetojë. Statistika e vitit 1946 tregon se u arrestuan 17 mijë shqiptarë. Pasiguria vjen nga lidhja e qeveritarëve me bandat”, tha ai.

 

Berisha tha se Partia Demokratike do krijojë kushtet për të qëndruar në Shqipëri.

 

“Shqipëria ka absolutisht gjithçka, çdo potencial dhe mundësi për të qenë një nga vendet me demografinë më të shëndetshme në rajon dhe Europë. PD do qëndrojë fuqishëm së pari në krijimin e kushteve të kalkulueshme për të qëndruar në Shqipëri. Së dyti me politika specifike demografike që janë jetike dhe të domosdoshme për të përballuar këtë shpopullim të frikshëm”, u shpreh Berisha.