Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se 32 % e totalit të të punësuarve në ndërtim paguhen me pagë minimale, dhe kjo sipas tij, është e papranueshme dhe qeveria nuk do ta tolerojë.

 

Rama ishte sot në kompaninë “Kika” sh.p.k, ndër sipërmarrjet e para në fushën e ndërtimit me 100 të punësuar, ku vijoi takimet për rritjen e pagës minimale dhe transformimin rrënjësor të sistemit të pagave kudo në vend.

Kryeministri u shpreh se gjithçka ka arritur sipërmarrësi në ndërtim është falë kapitalit njerëzor në dispozicion, falë punonjësve që bëjnë të mundur që projektet e bukura të realizohen pavarësisht se sa investohet.

 

Rama tha se në total në industrinë e ndërtimit operojnë 5930 kompani që kanë një numër total të deklaruar 53 277 të punësuar.

 

“Në momentin kur kjo kompani është futur në treg apartamentet shiteshin me 300 dollarë metri katror, ndaj nuk kishte se si paga të ishte 300 apo 400 dollarë. Ndërsa tani kur metri katror në Tiranë ka kaluar 1 mijë euro, si mundet ne të kemi një pagë minimale për 32 % të totalit të të punësuarve në sektorin e ndërtimit. Pra janë 17 188 punonjës që marrin pagë minimale”, tha Rama.

 

Sipas tij, “ky është shfrytëzim i punonjësve deri në caqet e mbijetesës dhe ne këtë nuk do ta tolerojmë më”.

 

“Tani jemi në kushtet kur ekonomia dhe produktiviteti garantojnë jo vetëm fitime për sipërmarrjen, por garantojnë të ardhura që janë shumë përtej pagave që jepen ose deklarohen. Ana tjetër e medaljes është se në këtë 32 %, ka një gënjeshtër të madhe, sepse këta janë një pjesë e pagave që jepen, por një pjesë janë pagat që deklarohen dhe një pjesë tjetër paguhet në të zezë. Për fitime që janë përtej normales shkojnë deri te pika e fundit e gjakut dhe djersës së punonjësve”, shtoi Rama.