Ish-kryeministri, Sali Berisha ka mbledhur mëngjesin e kësaj të enjteje, para seancës plenare,  grupin parlamentar të PD-së.

 

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka vënë theksin tek nismat e propozuara nga opozita të cilat, sipas tij, janë përjashtuar nga parlamenti.

 

Berisha risolli në vëmendje ligjin e lustracionit të propozuar nga PD-ja, për të cilin tha se është i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës komuniste.

 

“Përsëri parlamenti përjashton nga shqyrtimi nismat tona në një qëndrim politik të dënueshëm, antikushtetues. Në parlament nuk sillet ligji i lustracionit, një ligj i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës komuniste. Ligji tani ka bazë të plotë kushtetuese sepse në Kushtetutën e vendit ky nen tani është i sanksionuar pavarësisht se është shkelur dhe nuk zbatuar nga institucionet socialiste të sistemit të drejtësisë. Ideja e zëvendësimit të këtij neni me një ndërhyrje në kodin zgjedhor, është një ide hakmarrëse. Ne do të insistojmë për sjelljen e këtij ligji, që ka standardet më të mira dhe që tani nuk mund të ketë asnjë pengesë tjetër meqenëse është i sanksionuar në Kushtetutë si proces. Mossjellja e ligjit ka vetëm një synim, përdorimin e amendamentit të Ballës, të cilin e mbështeti edhe AliBasha, për gjah shtrigash. Ligji ka rregullat e veta, ka procedurat e veta dhe transparencën e plotë”-tha Berisha.

 

Ndër të tjera Berisha u ndal te rezoluta për genocidin serb në Kosovë për të cilën ka thënë se nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione pasi Rama e bllokon me urdhër të Vuçiçit.

 

“Problemi i dytë madhor që bllokohet prej pothuajse një vit, është rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë. Kjo rezolutë e dorëzuar nga deputetët tanë nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione. Të ishte agjente e betuar e Beogradit, Linda e parlamentit ndryshe nuk mund të sillej. Natyrisht është apo nuk është, atë nuk e di se nuk kam të dhëna, por di që Edi Rama është një argat i Vuçiçit. Di që ai e bllokon këtë totalisht me urdhër të tij. Gjenocidi serb në Kosovë është një gjenocid ciklik, aktet e fundit të këtij gjenocidi u kryen me operacionin Patkoi gjatë luftës së vitit 1999. Por gjenocidi serb është i dokumentuar jo vetëm në trevat e Kosovës, por ai është plotësisht i dokumentuar edhe në fshatrat e Lumës. Barbaritë serbe në Lumë dhe zonat përreth kanë tronditur botën në atë kohë. Komisioni i ngritur për të hetuar shkaqet dhe krimet e luftës, i përbërë nga personalitete të shquara, ka konkluduar se barbaritë e Lumës janë gjenocid. Edi Rama bllokon gjenocidin serb, por edhe urdhëron Safet Gjicin të prishë përmendoren e ngritur në Kukës në nderim të viktimave të gjenocidit serb në Lumë. Këto mund t’i bënte vetëm një pushtues serb, por nuk mund t’i bënte kurrë një shqiptar. Ne nuk pajtohemi me këtë dhe do insistojmë derisa të paraqitet rezoluta që dënon gjenocidin serb në Kosovë. E paralajmëroj që do paraqitet edhe rezoluta që dënon gjenocidin serb të Lumës, që është ndërkombëtarisht i njohur. Nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse njohja e të shkuarës dhe reflektimi që e ardhmja të mos lejojë përsëritjen e këtyre akteve”-tha Berisha.

 

Kryetari i PD-së Berisha ka deklaruar se një ndër problemet e tjera, sipas tij është edhe bllokimi i komisionit hetimor për aferën “McGonigal” të cilin e ka lidhur me kryeministrin Rama. Berisha është shprehur se gjobëvënia nga Rama dhe McGonigal shkon në 50 mln Euro.

 

“ Përsëri vazhdon bllokimi i komisionit hetimor për aferën Rama-McGonigal. Kjo është një aferë që kundërmon dhe dalin vazhdimisht fakte dhe dëshmi të reja. Edi Rama, së bashku me Oleg Deripaskën, është faktor kryesor i korruptimit të shefit të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Edi Rama ka kryer një seri aktesh të dënueshme, qoftë në ligjet e SHBA, qoftë në ato të Shqipërisë. Afera McGonigal është Uotergejti i këtij shekulli. Edi Rama kontraktoi kryezbuluesin e SHBA si vrasës me pagesë të opozitës shqiptare. Edi Rama, ka shumë të dhëna se u bë pjesë e ekipit gjobëvënës të McGonigal. Muk ka asnjë vend tjetër në botë në të cilën drejtësia të mos thotë asnjë fjalë, megjithë denoncimeve publike të dy biznesmenëve të njohur. Drejtësia është në vorbullën e aferës McGonigal. Sepse nuk mund të kuptohet që këta gjobëvënës, këta plaçkitës, qarkullojnë të lirë me avionë dhe helikoptera, në një kohë kur vendi i tyre është aty ku e kanë vendin të gjithë gjobëvënësit. Por ata këtë sistem e kishin vendosur me miratim të Edi Ramës. Ne nuk heqim dorë nga funksioni ynë kushtetues i kontrollit të ekzekutivit dhe institucioneve në përputhje me ligjet. Edi Rama ka shkelur të gjitha ligjet e vendit. Ai është i implikuar në gjobëvënie që thuhet se arrin deri në 50 milionë euro. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Edi Rama e ka vendin aty ku e ka McGonigal sot. Nuk mund të shpëtojë nga drejtësia, ndaj dhe ne do insistojmë në ngritjen e komisioneve”-tha Berisha.