Një 28-vjeçar që vidhte llogaritë në rrjetin social facebook, të personave të ndryshëm nga Kosova, dhe i përdorte ato për të përfituar shuma parash nga familjarët dhe të afërmit e tyre është vënë në pranga nga policia.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se pas kallëzimeve të marra nga disa shtetas kosovarë, për vjedhjen e llogarive të tyre në rrjetet sociale dhe përdorimin e tyre për të kërkuar para nga familjarët e tyre ka organizuar operacionin policor të koduar “Account”. Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin:  L.P., 28 vjeç, banues në Tiranë.

 

Nga hetimet dyshohet se28-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vjedhur llogaritë e shtetasve të ndryshëm kosovarë, në rrjetin social facebook, dhe më pas ka komunikuar me familjarët dhe të afërmit e këtyre shtetasve, për t’iu kërkuar shuma të ndryshme parash, me pretendimin se ishte në spital ose për arsye të tjera. Pasi kanë marrë mesazhet në rrjetet sociale, familjarët dhe të afërmit kanë dërguar shumat e parave me anë të rrjetit të transfertave monetare.

 

Shuma e përfituar nga kjo veprimtari kriminale është mbi 100 000 euro.

 

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara nga filialet e rrjetit të transfertave monetare, pas tërheqjes së shumave monetare nga ky shtetas.

 

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.