Parlamenti i Türkiyes ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Finlandës në NATO.

 

Vendi nordik mori miratimin zyrtar të Ankarasë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake me 276 vota pro.

 

Votimi i sontëm do të thotë se tani të gjitha 30 shtetet anëtare të NATO-s kanë ratifikuar pranimin e Finlandës, si kusht që ajo të bëhet pjesë e aleancës.

 

Duke braktisur politikën disadekadëshe të mosangazhimit ushtarak pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës shkurtin e kaluar, Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n në maj të vitit të kaluar.

 

Por Türkiye, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, u kërkoi dy vendeve nordike të ndërmarrin veprime konkrete kundër grupeve terroriste si PKK dhe FETO në mënyrë që të japë dritën jeshile për anëtarësim.

 

Në qershor, Finlanda dhe Suedia nënshkruan një memorandum me Türkiyen për të adresuar shqetësimet e sigurisë të Ankarasë, dhe diplomatë të lartë dhe zyrtarë nga të tri vendet kanë mbajtur takime të ndryshme që atëherë për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes trepalëshe.

 

Suedia miratoi një ligj kundër terrorizmit nëntorin e kaluar, duke shpresuar se Ankaraja do të miratojë aplikimin e Stokholmit për t’u bashkuar me NATO-n. Ligji i ri, i cili hyn në fuqi më 1 qershor, do t’i lejojë autoritetet të ndjekin penalisht individët që mbështesin grupet terroriste.

 

Türkiye tha në fillim të këtij muaji se do të miratonte procesin e anëtarësimit të Finlandës në NATO në parlament. Ajo pati deklaruar se Finlanda tashmë kishte bërë atë që ishte e nevojshme për të fituar anëtarësimin, ndërsa Suedia ka ende punë për të bërë./AA