Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se nga krahasimi i pamjeve me dron del që Tirana nuk ka incenerator, por thjesht një qendër grumbullimi mbetjesh të njëjtë me atë të Shkodrës.

 

Në një konferencë për shtyp, Meta iu referua një investigimi me dron që sipas tij, tregon se në inceneratorin e Tiranës bëhet vetëm një groposje primitive e mbeturinave.

 

“Bashkia e Shkodrës për të njëjtin proces, pra atë të groposjes paguan 1600 lekë të reja për ton. Ndërkohë Bashkia e Tiranës paguan 29 euro për ton ose dyfishin, duke na e shitur si proces incenerimi kur ndërkohë kryhet vetëm groposje, pa diferencim. Në filmimet e zhvilluara nga droni i të vërtetës që nga korriku 2022 deri në janar të 2023-shit, për një periudhë prej 180 ditësh provohet e kundërta e deklaratave të kryeministrit Rama në komisionin hetimor për inceneratorët”, tha Meta.

 

Sipas tij, “krahasimi i pamjeve me dron tregon që në inceneratorin e Tiranës dhe landfillin e Shkodrës kryhet i njëjti proces”.

 

“Situata është shumë e rëndë. Drejtësia shqiptare është në provën më të madhe se kurrë ndonjëherë në provën e ekzistencës së saj. Kjo hajdutëri është certifikuar dhe i është vënë vula dhe çdo qytetar e ka shume të qartë këtë”, shtoi ai.

 

Ndërkohë, Meta reagoi edhe për përmbytjet në Shkodër, të cilat sipas tij, vijnë si pasojë e keqadministrimit të sektorit energjetik në Shqipëri.