Arresohet 53-vjeçari nga policia britanike, pasi i gjetën çaj mali në furgon.

 

Sipas mediave të huaja shtetasi Agim Agaj, u kontrollua dhe u mbajt në paraburgim për rreth 15 orë, pasi policia mendoi se çaji i malit që iu gjet brenda furgonit ishte kanabis.

 

Policia bën me dije se shqiptari u shoqërua për në komisariat për akuzën e transportit të lëndëve narkotike.

 

Agim Agaj ka folur për The Sun, ku shprehet se u policët nuk e dëgjuan aspak, por e arrestuan menjëherë. Sipas tij edhe një fëmijë mund të dallojë çajin nga kanabisi.

 

“Ishin dy policë. Një hapi derën e furgonit dhe pa se kisha një enë të madhe plastike. Ai i tha policit tjetër: ‘Ai ka marihuanë’. Unë thashë, ‘Kjo nuk është drogë. Është çaj mali!’ Ata nuk dëgjuan dhe më arrestuan. Çaji nuk duket aspak si barërat e këqija, pasi edhe erën nuk e ka si ato.”

 

“Edhe një fëmijë mund të shohë se çfarë është çaji dhe çfarë është kanabisi”,tha Agimi.

 

Agimi u mbajt në qeli ditën e shtunë dhe u lirua të nesërmen sepse nuk kishte prova. Ai tha se oficerët kanë kontrolluar gjithashtu edhe shtëpinë e tij të vjetër dhe shtëpinë e një shoku.

 

53-vjeçari i cili konsumon çdo ditë çajin tradicional shqiptar, tha se nuk e dinte pse e ndaluan dhe shtoi:

 

“Nuk jam arrestuar kurrë.Ishte e frikshme.”