Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se plani për të pavarësuar plotësisht Shqipërinë nga pikëpamja energjetike dhe për ta bërë eksportuese neto është gjithmonë e më realist.

 

Rama inspektoi kantierin e parkut fotovoltaik “Blue 1” në Seman të Fierit, ku bëri të ditur se ka një fluks të madh kërkesash për parqe fotovoltaike.

 

“Ne nuk mund të lëshojmë terrene prodhuese bujqësore për të vendosur panele. Këtë mund ta bëjmë vetëm për panele agrosolare, do ishte një vlerë e shtuar, dhe do ta bëjmë vetëm në ato raste, kur sipas përcaktimeve të sakta niveli i bonitetit dhe prodhueshmërisë së tokës të jetë nën atë të dëshiruarin për prodhime bujqësore”, tha Rama.

 

Kryeministri u shpreh se volumi i investimeve që janë potenciale është gjigant.

 

“Unë shoh shumë lëvizje në këtë drejtim pavarësisht se jo të gjitha këto do të bëhen realitet për arsyet që thashë, por edhe për arsye të tjera. Arsyeja e tretë, që është edhe më e forta, në fund, është se do të duhet tregu, do të duhet të garantohet tregu. Sidoqoftë volumi i investimeve që janë potenciale është gjigant”, tha Rama.

 

Kryeministri u ndal te plani për të pavarësuar plotësisht Shqipërinë nga pikëpamja energjetike dhe për ta bërë eksportuese neto.

 

Sipas tij, “ky plan është absolutisht gjithmonë e më realist, duke marrë parasysh këto, por edhe investime të tjera që do të shkojnë paralelisht”.

 

“Kemi investime duke filluar nga Skavica që është në proces, duke vazhduar me ato të erës. Kemi edhe investimin me gazin e lëngshëm që futet në lojë dhe me projektin e parë të gazifikimit që jemi duke e hartuar së bashku me partnerët tanë të Azerbajxhanit. Nëse ai projekt do të ecë mirë pastaj ajo do të shtrihet. Aktualisht po punojmë në rajonin e Korçës dhe me gjasë do të jemi në gjendje të hapim rrugën edhe për rafinerinë që të na çlirojë përfundimisht nga historitë e imponimeve të tregut dhe do të na japë mundësinë edhe të kemi një treg shumë të lehtësuar nga këto pesha dhe do të kemi edhe një komponente të drejtpërdrejtë vendimmarrje mbi çmimin”, shtoi Rama.

 

Kryeministri shprehu besimin se e ardhmja është e mirë.

 

“Ne do të kishim bërë shumë më tepër investime por u përballëm me domosdoshmërinë për të mos lejuar rritjen e çmimit, se njerëzit u mësuan me këtë dhe duket sikur nuk ekziston por çdo ditë paguhen fonde që ndryshe do të shkonin për investime apo për mirëmbajtje për të kompensuar çmimin”, tha ai.

 

Kryeministri theksoi se tani po i afrohemi prapë një momenti të rrezikshëm që është piku i verës kur rritet konsumi.

 

“Ndaj duhet të rifillojmë pak nga pak një tjetër fushatë për konsumin, sepse është e njëjta gjë si në dimër edhe në verë, kur konsumi rritet nga turizmi”, theksoi ai./ATSH