Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Expensive”, për zbardhjen e një vjedhjeje me armë zjarri, në Kamëz.

 

 

I morën varësen dhe orën e dorës, pronarit të një biznesi, duke e kanosur me armë zjarri, identifikohet dhe vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

 

Sekuestrohen 3 ora dore dhe aksesorë floriri, me vlerë të konsiderueshme, të dyshuara të vjedhura, një sasi municioni luftarak dhe automjeti që dyshohet se kanë përdorur autorët për të realizuar vjedhjen.

 

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, në një servis në Bathore, Kamzë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Expensive”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

 

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit Saimir Karoshi, 35 vjeç, dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi Q. H., 32 vjeç, të dy banues në Paskuqan.

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Saimir Karoshi, në bashkëpunim me shtetasin Q. H., në një biznes (pikë për shitjen e automjeteve), në Bathore, Kamëz, i kanë marrë pronarit të biznesit, shtetasit Xh. Sh., orën e dorës dhe varësen që kishte vënë, duke e kanosur atë me armë zjarri.

 

Gjatë kontrollit në banesat e autorëve të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 3 ora dore, 2 varëse dhe 2 byzylykë floriri, me vlerë të konsiderueshme, të dyshuara të vjedhura, një sasi municioni luftarak, një aparat celular dhe automjeti që dyshohet se kanë përdorur autorët për t’u larguar pas vjedhjes.

 

Vijon puna për kapjen e shtetasit Q. H., si dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas dhe nga shtetasi i arrestuar Saimir Karoshi.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.