Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar sot Platformën Elektronike për Raportimin Financiar, instrument për forcimin e monitorimit të financimit të partive politike dhe transparencës së fondeve në fushatë.

 

Ne fjalën e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi falënderoi BE dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e KQZ-së.

 

“Falënderoj Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen që i dhanë KQZ-së për të realizuar një nga projektet digjitale më të rëndësishme të listës së projekteve që KQZ ka planifikuar të realizojë në këtë fushë në të ardhmen e afërt. Prej vitesh Këshilli i Evropës është një partner serioz dhe i gjithëgjendur i KQZ-së në zhvillimin e projekteve të ndryshme. Mbështetja që hera-herës që BE i ka dhënë projekteve ka qenë vitale për realizimin dhe suksesin e këtyre projekteve”, tha ai.

 

Celibashi tha se projekti i digjitalizimit të raporteve të ndryshme që lidhen me financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore ka qenë dhe mbetet një nga projektet më të rëndësishme të KQZ-së.

 

“Rëndësia e tij parësore e vendosi atë si projekt në radhën e parë të kërkesave të KQZ-së për të kërkuar mbështetje financiare dhe për të mundësuar realizimin e këtij projekti. Në thelb, Platforma Elektronike për Raportimin Financiar synon që të mbështesë KQZ-në për të digjitalizuar gjithë procesin e raportimit dhe monitorimit financiar të partive politike si për raportet e tyre financiare ashtu dhe fushatat zgjedhore, bazuar kjo në çfarë Kodi Zgjedhor përcakton, ligjit për partitë politike por dhe akteve ligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Natyrisht kjo platformë nuk është mekanizmi që zgjidh çdo problematikë që lidhet me financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore por është e sigurt që kjo platformë krijon një mundësi shumë të mirë për një administrim të plotë dhe të saktë të të dhënave të raportuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike si ndër vite e po ashtu sa u përket fushatave zgjedhore. Kjo platformë disiplinon formën e raportimit të të dhënave të ndryshme, nëpërmjet saj mundësohet një monitorim dhe një mbikëqyrje efikase për të gjitha subjektet raportuese”, tha ai.

 

Ai shtoi se kompania që e realizoi nga pikëpamja teknike këtë platformë i është përgjigjur më së miri kërkesave të KQZ në lidhje me cilësitë që duhet të kishte kjo platformë.

 

“Ajo që ngelet e rëndësishme është se ky mekanizëm ngelet i mirë për këdo që në një mënyrë apo një tjetër do të jetë përdorues i këtij sistemi dhe me siguri, ky nuk do jetë një sistem i llojit të atyre që prezantohen me tamtame të mëdha dhe pastaj humbasin, por do të jetë i përdorshëm dhe funksional nga tani dhe në vijim”, tha Celibashi.