Sekretari për çëshjet zgjedhore dhe ligjore në PD Ivi Kaso ka folur mbrëmjen e sotme në “Milori Live” në Klan News për zgjedhjet lokale dhe faktin që Partia Demokratike ka dy lista në KQZ.

Kaso tha se për herë të parë në 30 vite organet drejtuese të Gjykatës së Tiranës po mbajnë peng vendimin e datës 25 mars 2022 ku u pranua kërkesa e “Rithemelimit” të PD-së për të regjistruar logon e re, vulën dhe për të njohur gjithë vendimet e Kongresit të Berishës.

 

Ai u shpreh po ashtu se KQZ duhet të marrë përgjegjësinë që i përcakton ligji dhe të bëjë efektiv vullnetin e kësaj partie për të garuar në zgjedhjet lokale me gjithë potencialin e saj.

Ivi Kaso: Në jetën e çdo partie politike vendimet i merr baza e partisë, i marin organet e legjitimuara siç në këtë rast Kuvendi Kombëtar i partisë, i cili në 2021-in mori disa vendime, ndryshim statute, i siglës dhe vulës e logos, shkarkimi i ish-kryetarit Lulzim Basha dhe zgjedhja e organeve të reja drejtuese. Në një situatë normale ky vendim përfundimtar sipas ligjit të partive politike duhet të pasqyrohej në Regjistrin e Partive Politike. Një regjistër që e administron Gjykata e Tiranës. Për herë të parë një vendim i Gjykatës refuzohet që të pasqyrohet në këtë regjistër.

Mirela Milori: Kush e refuzon?

Ivi KasoOrganet drejtuese të Gjykatës së Tiranës marrin përsipër që të shkelin hapur ligjin dhe të zbatojnë vullnetin e kryeministrit dhe mazhorancës dhe të mos pasqyrojnë një vendimarrje të tillë në regjistër.

Mirela Milori: Interpretim politik…Teknikisht ku ka mbetur?

Ivi KasoAtëherë teknikisht ka mbetur te vullneti i organeve drejtuese të Gjykatës së Tiranës.

Mirela Milori: Çfarë po ndodh nga Gjykata në KQZ? Është distancë e largët që ta sqarojmë…

Ivi Kaso: Është marrë një vendim në 25 Mars, ky vendim ka pasur vetëm një palë që i kërkonte gjykatës regjistrimin e partisë në regjistër. Partia Demokratike e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, e përfaqësuar nga unë që kisha tagerat për të firmosur. Janë pranuar të gjitha kërkesat tona dhe si vendim duhet të regjistrohej.

Mund të bëhej ankim, por sipas ligjit vetëm nga pala që e ka investuar gjykata, që është PD e përfaqësuar nga Ivi Kaso. Organet drejtuese të gjykatës kanë refuzuar të bëjnë atë që ligji thotë, e kanë mbajtur vendimin 10 ditë të paregjistruar deri sa një palë tjetër i investuar nga kryeministri ka bërë një gjë që nuk ka ndodhur kurrë. Pa qenë palë në kërkesë ka bërë ankimim. Është precedenti më i rrezikshëm në demokraci kur organet drejtuese të një partie përcaktohen nga pala tjetër.

Milori: Sepse ata nuk njohin palën tuaj dhe ju nuk njihni palën e tyre. Si zhbllokohet kjo situatë?

Ivi Kaso: Duke zbatuar atë që parashikon ligji. Ky vendim i shkallës së parë i cili nuk ankimohet përveçse nga ne, duhet të regjistrohet. Mbahet peng regjistrimi, jemi në një terren krejtësisht të pashkelur. Gjykata e Apelit s’ka ende një datë për shqyrtimin e çështjes. Unë mendoj se kjo është për interes të atyre që e kanë çuar çështjen në Gjykatë të Apelit dhe i mazhorancës, ky është konteksti në të cilin zhvillohen ngjarjet.

Mirela Milori: Çfarë prisni nga KQZ-ja?

Ivi Kaso: Unë kërkoj që KQZ të marrë përgjegjësinë që i paracakton ligji dhe të bëjë efektiv vullnetin e një partie poltike që të garojë me gjithë potencialin e saj. Dhe të bëjë efektive interesin e të gjithë zgjedhësve demokratë që në 14 Maj të gjejnë kandidatin e partisë Demokratike me vulën e PD-së.