Federata Shqiptare e Futbollit vendosi shtyerjen e ndeshjes Kastrioti-Bylis për shkak të kërcënimeve që arbitrat kanë marrë. Nuk ka munguar reagimi i klubit krutan, teksa kanë bërë një postim në rrjetet sociale.

Kujtojmë se për shkak të kërcënimeve, arbitrat nuk marrin përsipër të gjykojnë në ndeshjet e Kastriotit, ndërsa sipas asaj që shkruan FSHF, gjyqtarët janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit në sfidën e kurbinasve ndaj Kastriotit, një javë më parë.

“Pas njoftimit zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit për shtyrjen e ndeshjes Kastrioti-Bylis për një datë të pacaktuar, ku në njoftimin e mbërritur deklarohet që arbitrat janë kërcënuar, klubi Kastrioti është i detyruar të dalë me këtë reagim. Ne si klub distancohemi nga këto akuza dhe bëjmë thirrje organeve kompetente që të zbardhin sa më shpejt këtë histori të shëmtuar, e cila prish imazhin e klubit tonë, por dhe të futbollit shqiptar në përgjithësi. Në deklaratën e Federatës Shqiptare thuhet që edhe në ndeshjen e javës së kaluar midis Kastriotit dhe Laçit arbitrat paskan qenë të detyruar që nga kërcënimet të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Ne jemi të gatshëm të përballemi me realitetin dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe të zbardhin të vërtetën për këtë akuzë të rëndë. KS Kastrioti distancohet në mënyrë kategorike nga çdo lloj ngjarje që njollos lojën e bukur të futbollit” – Shkruan klubi.