Kandidatët për Këshillin Bashkiak të PD-së në Vaun e Dejës kanë dalë në mbështetje të Zef Hilës, kandidatit të opozitës për kryebashkiak në zgjedhjet e 14 majit.

 

Kandidatët për Këshillin e cilësojnë Klomentina Drinin si kandidaturë personale e nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të Vaut të Dejës. Ata bëjnë thirrje për votimin e Zef Hilës.

 

Kjo është braktisja e radhës për Alibejan.

 

DEKLARATË E KANDIDATËVE TË PARTISË DEMOKRATIKE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË BASHKISË VAU DEJËS

 

Ne, kandidatët për këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau Dejës, duke falenderuar Kryesinë e Degës dhe strukturat e PD, Dega Vau Dejës, për besimin dhe mbështetjen, shprehim qëndrimin tonë lidhur me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023:

 

Ne sot, me anë të kësaj deklarate, shprehim hapur mbështetjen tonë për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” z. Zef Hila.

 

Ne distancohemi nga çdo kandidaturë personale e kujtdo qoftë ajo, përfshirë edhe të kryetarit të komanduar të PDSH-së, për sa kohë kjo kandidaturë është nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit.

 

Ne i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit, që të bashkuar të mbështesim kandidatin e përbashkët të demokratëve, z. Zef Hila dhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

 

Z. Zef Hila është ish-kryebashkiaku jonë, është Deputeti ynë, është njeriu më i votuar dhe më i mbështetur i kësaj zone, dhe po ashtu edhe në listën tonë për këshilltarë bashkiak janë përfshirë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë e me integritet, me kontribute për komunitetin tonë, e të gjithë janë të gatshëm për të punuar me përkushtim dhe me besim, për fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak dhe të z. Zef Hiles si kryetar i ardhshëm i Bashkisë Vau Dejës me 14 Maj.