Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian.

 

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes, Geraldina Prodani bëri të ditur se miratimi i kësaj marrëveshjeje i hap rrugën anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në mekanizimin e Bashkimit Evropian për mbrojtjen civile, duke ndikuar kështu në rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes civile për të gjitha llojet e fatkeqësive, natyrore dhe atyre të shkaktuara nga dora e njeriut, kryesisht, në lehtësimin e koordinimit të përgjigjes, marrjes dhe dhënies së asistencës ndërkombëtare, si dhe gjitha elementet e tjera, që janë pjesë e mekanizmit dhe që përshkruhen në vendimin e Komisionit të Bashkimit Evropian nr.1313/2013/EU.

 

“Ky bashkëpunim pritet të ndikojë në forcimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes civile ndërmjet palëve. Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si institucioni i drejtpërdrejtë i interesuar, e vlerëson pozitivisht nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, për faktin se kjo do të ishte në dobi të forcimit të kapaciteteve të Shqipërisë në gatishmëri dhe përgjigje, si dhe do të rrisë kapacitetet në marrjen dhe dhënien e ndihmës ndërkombëtare, por edhe do të rrisë ndërveprimin me organizatat homologe të mbrojtjes civile. Palët do të bashkëpunojnë direkt brenda kompetencave të veta, në bazë të legjislacionit kombëtar dhe atij të Bashkimit Evropian”, tha Prodani.

 

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku teksa deklaroi votën pro, vlerësoi se ky është i vetmi mekanizëm ku Shqipëria do të përfitojë njëlloj si të ishte vend anëtar megjithëse është vend në procesin e zgjerimit dhe që sapo ka nisur negociatat.

 

E pyetur nëse sa është fondi që mund të përfitojë Shqipëria në rast fatkeqësie, Prodani informoi se përgjigja rajonale apo e vendeve të BE për çdo fatkeqësi do të jetë e menjëhershme dhe nuk ka një fond limit të përcaktuar.

 

Shpenzimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje janë tarifë për pjesëmarrje, si dhe kosto operacionale./ATSH