Sulmuesi i Barcelonës, Robert Levandovski, ka qenë i ftuar në një eveniment të organizuar nga klubi katalanas.

Gjatë diskutimet me mediat sulmuesi polak i Barcelonë ka pranuar rënien e formës së tij, veçanërisht pas kampionatit botëror në Katar. Ndër të tjera Leva është ndalur dhe te Lionel Mesi dhe diskutimet e shumta në Barcelonë këto kohë në lidhje me rikthimin e mundshëm të “pleshtit” në “Camp Nou”.

 

 FORMA – “Mendoj se pas kampionatit botëror kam pësuar një rënie të formës. Por ndikimi i kampionatit botëror nuk ka qenë vetëm për mua. Pothuajse të gjithë lojtarët e angazhuar në Katar kanë shfaqur probleme. Unë e ndiej shumë, pasi nuk jam mësuar të mos shënoj në dy ndeshje radhazi. Po punoj për t’u kthyer sërish në formë për pjesën e mbetur të sezonit”.

TITULLI – Leva ka folur dhe për titullin kampion me 13 pikë avantazh ndaj Realit. “Kemi tri vjet që nuk e fitojmë titullin kampion, ndaj të gjithë tifozët tanë e presin që t’ia arrijmë këtë vit. Besoj se kemi një avantazh të konsiderueshëm dhe gjithçka është në duart tona. Nëse fitojmë titullin do të ishte shumë i rëndësishëm për të rinjtë veçanërisht, sepse do t’i mbushte me vetëbesim”

 

 MESI – Sulmuesi i Barcelonës ka qenë i qartë dhe ka hapur dyert për Leo Mesin që të kthehet në “Camp Nou”. “Unë tashmë i jam përgjigjur kësaj pyetjeje, por për mua Mesi do të jetë gjithmonë pjesë e Barçës. Nëse ai kthehet, jo vetëm për tifozët, por edhe për lojtarët, do të ishte mbresëlënëse. Vendi i tij është këtu, në Barcelonë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, nuk jam unë personi që të jap një përgjigje të saktë, por shpresoj që sezonin e ardhshëm të luajmë së bashku. Ne kemi nevojë për këtë lloj lojtari”, ka shpjeguar ai.

PANORAMASPORT.AL