Biznesi i kartave bankare kishte tendencë rritjeje gjatë vitit 2022, si në numrin e instrumenteve të emetuara, ashtu edhe në volumin e përdorimit të tyre.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator 2022 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.35 milionë, në rritje me 2.5% që nga fillimi i vitit.

 

Rritja është mbështetur në masën dërrmuese nga zgjerimi i vazhdueshëm në segmentin më të madh atë të kartave të debitit, por edhe tendencat pozitive në produktin specifik të kartave me funksion paraje elektronike. Ndërkohë, kartat e kreditit vazhdojnë të shfaqin një ecuri në stanjacion, me një rritje shumë të vogël që nga fillimi i vitit.

 

Numri i kartave të debitit në fund të 9-mujorit 2022 arriti në 1.16 milionë, në rritje me 2.6% që nga fillimi i vitit. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën mbi 86% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare.

 

Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve. Rritja e numrit të tyre tregon njëkohësisht përmirësim të përfshirjes financiare dhe zgjerim të përdorimit të produkteve bankare nga publiku.

 

Ndërkohë, produkti tjetër konsumator, ai i kartave të kreditit, as vitin e kaluar nuk iu rikthye dot ritmeve të rritjes së periudhës para pandemisë. Në fund të shtatorit 2022, sektori bankar raportonte më pak se 113 mijë karta krediti aktive, me një rritje me vetëm 0.6% që nga fillimi i vitit.

 

Zhvillimi i dobët i këtij produkti mund të lidhet sa me prapambetjen në depërtimin e shërbimeve bankare, aq edhe me faktin se ekonomia shqiptare ka një përqindje të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike.

 

Tregu i këtij produkti në Shqipëri duket se nuk paraqet as shumë konkurrueshmëri dhe fleksibilitet. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit e kartave të kreditit për 6-mujorin e parë 2022 (për shumat e deri në 200 mijë lekë) ishte 20.7% për kartat në Lekë dhe 19.7% për kartat në Euro.

 

Sipas bankierëve, çmimi i lartë lidhet me shkallën relativisht të lartë të rrezikut që kartat e kreditit bartin si produkte kreditore, por edhe me ekzistencën e një periudhë faljeje, brenda të cilës klienti mund ta paguajë detyrimin pa interesa.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se deri në fund të 11-mujorit 2022, pagesat me kartë në terminalet POS arritën vlerën e 45.4 miliardë lekëve, ose 30.2% më shumë krahasuar me volumin e vitit të plotë 2021.

 

Rezultatet e vitit 2021 janë tejkaluar edhe në numër transaksionesh. Për 11 muajt e vitit 2022, klientët e sektorit bankar kanë kryer rreth 9.6 milionë pagesa me kartë, shifër kjo 21.9% më e lartë krahasuar me vitin e plotë 2021.

 

Pesha e veprimeve me kartë në terminalet POS për 11-mujorin 2022 përbënte rreth 13.9% të totalit të veprimeve karta bankare, nga 11.5% që ishte ky raport për vitin 2021.

 

Megjithëse veprimet me karta bankare vazhdojnë të dominohen nga tërheqjet cash në bankomate, pesha e pagesave elektronike në vitet e fundit është në rritje dhe për 11-mujorin 2022 ka prekur nivelin më të lartë historik./Monitor