Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, ushtarakët shqiptarë nuk janë më të fundit e rajonit për nivelin e pagave të tyre, përkundrazi ata kanë paga ndër më të lartat, të cilat do të vazhdojnë të rriten drejt mesatares së NATO-s.

 

Kryeministri solli në vëmendje rastin e nëntetar Mario Elmazi, paga e të cilit në vitin 2022 ishte 65 100 lekë ndërsa në maj 2023 shkon në 84 369 lekë. Ndërkohë në vitin 2024 paga e Kundëradmiralit shkon në 94 540 lekë.

 

Rama u shpreh se, “pagat e ushtrisë shqiptare ishin për një kohë të gjatë një arsye për t’u ndjerë keq për trupat e Forcave të Armatosura, por s’kishim asnjë rrugë tjetër përveçse të çonim përpara me këmbëngulje e durim ndryshimet e domosdoshme, pa të cilat pagat nuk mund të rriteshin siç duhej dhe siç e dëshironim të gjithë”.

 

Sipas tij, “tanimë kushtet kanë ndryshuar shumë”.

 

Rama theksoi se, “pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona”.

 

Kryeministri theksoi se, pagat e reja janë frut i rritjes së të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale.

 

“Ato janë frut i lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shtoi ai