Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, pas diskutimeve të ndryshme miratoi sot projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar”.

 

Të ftuar ishin përfaqësues nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit Klodiana Marika dhe Edit Vardhami.

 

Përfaqësuesit e MTK-së u shprehën se, unifikimi i neneve të këtij ligji me Kodin e Procedurave Administrative bën të mundur realizimin efektiv të funksioneve publike administrative në shërbim të personave të cilët kërkojnë të pajisen me leje në mënyrë që tregtia ndërkombëtare e faunës dhe florës së egër të mos ua rrezikojë mbijetesën dhe të

shmangë keqtrajtimet e tyre gjatë tregtimit ndërkombëtar.

 

Sipas tyre, kur autoriteti menaxhues, në bashkëpunim me autoritetin shkencor, vëren mangësi në dokumentet e paraqitura, brenda 7 ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës, i kërkon kërkuesit plotësimin e mangësive dhe pasaktësive të konstatuara brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.

 

Në rast se kërkuesi nuk plotëson pasaktësitë brenda afatit të kërkuar, kërkesa quhet se nuk është regjistruar dhe i kthehet kërkuesit bashkë me aktet e tjera.

 

Ndërsa Ministria shfuqizon lejen kur: a) konstaton se është lëshuar në kundërshtim me konventën ose me rezolutat dhe vendimet e konferencës së palëve; b) provon se mbajtësi i lejes nuk ka përmbushur një nga kushtet e përcaktuara në leje ose certifikatë”.