Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, ka bërë të ditur se Kievi do të marrë deri në 140 tanke nga aleatët e tij pasi Perëndimi premtoi dërgesat e tankeve pas miratimit të Gjermanisë për të lejuar transferimin e tankeve ‘Leopard 2’.

 

“Në valën e parë të kontributeve, Forcat e Armatosura të Ukrainës do të marrin nga 120 deri në 140 njësi të tankeve moderne të modeleve perëndimore. Këto përfshijnë ‘Leopard 2’, ‘Challenger 2’ dhe ‘M1 Abrams’. Ne po llogarisim edhe tanket ‘Leclerc’ “, tha Kuleba në një konferencë për media.

 

Duke theksuar se koalicioni i tankeve aktualisht ka 12 anëtarë, Kuleba tha se është shumë herët për të përmendur të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe kontributet e tyre, sepse disa prej tyre nuk kanë marrë një vendim zyrtar “sipas procedurave të tyre të brendshme”.

 

Kuleba tha se Ukraina “vazhdon të punojë në zgjerimin e anëtarësimit të koalicionit e tankeve dhe në rritjen e kontributeve të bëra nga pjesëmarrësit tashmë të deklaruar”.

 

Të mërkurën e kaluar, Gjermania njoftoi se do të furnizojë Kievin me 14 tanke ‘Leopard 2’, do të trajnojë trupat ukrainase për të përdorur tanket dhe do të sigurojë licenca për vendet e tjera evropiane që dëshirojnë të furnizojnë Kievin me tanke ‘Leopard’ nga rezervat e tyre.

 

SHBA-ja do të dërgojë 31 tanke ‘Abrams’ në Ukrainë dhe siç tha presidenti amerikan, Joe Biden, trajnimi i trupave ukrainase do të fillojë “sa më parë”.

 

Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Kanadaja, Spanja dhe Norvegjia shprehën zyrtarisht planet e tyre për të furnizuar Kievin me tanke./AA