Partia Demokratike ka ankimuar në KAS vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të lënë në fletën e votimit kandidatin e PS për Mallakastër, Qerim Ismailajn.

 

Me anë të kërkesës së dorëzuar në KAS, PD kërkon shfuqizimin e vendimit të Ilirjan Celibashit të marrë ditën e shtunë dhe ndalimin e kandidatit të PS për postin e kryebashkiakut në Mallakastër.

 

“Shfuqizimin e vendimit nr.366, datë 15.04.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike dhe verifikimin e të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të subjektit vetëdeklarues Z.Qerim Ismailaj, kandidat për Kryetar të Bashkisë Mallakastër i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”.

 

“Ndalimin e kandidimit për Kandidatat për Kryetar Bashkie të Mallakastrës shtetasit Qerim Ismail Ismailaj të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë”-përpilohet në kërkesën e PD-së.

 

Ditën e shtunë, Ilirjan Celibashi rrëzoi kërkesën e PD-së për çregjistrimin e Qerimajt në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke u shprehur se emri i tij do vazhdojë të jetë në fletën e votimit, por theksoi se paralelisht do ta dërgonte për hetim më të thelluar në prokurori.