Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila kandidon sërish në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e Partisë Socialiste, ishte e ftuara e radhës në episodin e tretë të podkastit “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama.

 

Duke folur për ngarkesën që mbart kjo detyrë, Sako u shpreh se kujton gjithmonë një frazë të kryeministrit i cili i tha: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”. “Atje duhet të merrja 3 mjete dhe të shkoja në punë”, tha ajo.

 

Ndërkohë, kryebashkiakja kujton edhe porosinë që të bëjë punën, sepse çdo gjë do të gjejë vendin e vetë.

 

Sako është nënë e dy binjakëve identikë.

 

“Sa herë të ka thënë bashkëshorti se përse merresh me këtë punë, lëre fare”, e pyeti kryeministri.

 

“Para se të thosha “po” e kam pyetur që të mos thoshte pastaj i le fëmijët rrugëve”, tha ajo.

 

Rama tha se “kryesisht durrsakët janë njerëz që të japin ujë në bisht të lugës”. “Përballë me mua nuk i thoni gjërat siç i mendoni të gjitha”, shtoi ai.

 

E pyetur se çfarë ka menduar në momentin e parë kur ka filluar të mendojë për politikën, ajo tha se nuk ka pasur ambicie për të qenë kryetare bashkie. “Pesha ime nuk e sfidon shumë gravitetin”, shtoi ajo.

 

“Kam parë shumë njerëz që nuk duan të hyjnë në këtë valle, por ende nuk shkoj dot te rreshti i dytë, për të numëruar ata që duan të dalin nga kjo valle”, tha Rama.