Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka folur për mediat pas takimit me shefen e OSBE-ODHIR. Për gazetarët, Alibeaj tha se ka njoftuar Glover për mënyrën se si është zhvilluar fushata deri më tani, dhe për shkeljet që ka bërë qeveria, sipas tij duke dhënë tendera apo duke vënë administratën në funksion të zgjedhjeve. Alibeaj thotë se e ka njoftuar Glover edhe se institucionet nuk kanë marrë masa për përjashtimin nga gara të kandidatëve me rekorde kriminale.

 

Alibeaj tha se e ka njoftuar Glover edhe për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike dhe pozicionin që ata kanë mbajtur kundrejt grupit të Sali Berishës.

 

“Bëra të qartë për t’i dhënë ndihmë dhe informacion të plotë për mënyrën se si deri tani fushata është zhvilluar, të gjitha shkeljet nga qeveria, tenderat e hapur, aktivistin që ka në funksion të plotë, administratën që e kanë vënë në funksion të zgjedhjeve. Nuk kanë marrë masat e duhura për të përjashtuar ata kandidatë që rezultojnë me rekorde kriminale. I bëra gjithçka atë qartë lidhur me procesin zgjedhor, dhe situatën brenda PD.

 

Problemin e dimë të gjithë, fakti që ne qëndrojmë në seli të marrë me qira dhe se selia jonë është e zaptuar në mënyrë të paligjshme, ajo frekuentohet nga njerëz që nuk përfaqësojnë PD. I bëra të qartë çështjen e mosfigurimit të kryetarëve që garojnë, besoj e kuptoni për çfarë bëhet të qartë. Saktësova edhe se kush janë subjektet zgjedhore dhe keqpërdorimin që bëhet.

 

I bëra të qartë situatën brenda PD, arsyen përse ka ndodhur, pozicionin që kemi mbajtur, përdorimin më mënyrë të padrejtë dhe të mediave dhe financimit të partisë. PD gjatë gjithë kësaj periudhë është nisur të bëjë një fushatë për qytetarët kundër regjimit, është e papranueshme që kandidatët tanë të ndodhen në sulme nga qeveria dhe ajo pjesë që pretendonte dikur që është PD.

 

Ka një vit e ca që kjo parti është në një person dhe gjuhë linçimi, baltosje. Njerëzit tanë nuk e kanë imagjinuar ndonjëherë të ndodhen në presion nga një palë tjetër.  Demokratë deri dje kanë qenë bashkë kundër qeverisë, sot ndodhen edhe nën presion ndaj ish-kolegëve, të shitur, të blerë, ju konsideroni se kjo nuk është atmosferë mbytëse”, tha Alibeaj.