Enklejd Alibeaj, këtë të enjte ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të PD-së në Kavajë. Gjatë fjalës së tij, nuk kanë munguar akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Alibeaj tha se prej një viti e gjysmë ndodhen nën agresion prej tij.

 

Më tej ai theksoi se e gjithë kjo luftë brenda PD-së është bërë për hallin personal të Sali Berishës, që sipas tij nuk duhet ta kishte kaluar asnjëherë tek Partia Demokratike.

 

“Prej një viti e gjysmë pa shkak, jo për fajin tonë, jo për një interes publik Partia Demokratike, ju të gjithë jeni ndodhur në një agresion. Në agresion jemi ndodhur, sulm, linçim, verbal dhe fizik, financiar dhe juridik. Dhe e gjitha kjo është bërë për një arsye, për një hall personal të një individi.

Të një individi, i cili kurrsesi edhe në aspektin njerëzor nuk do të duhej ta kishte kaluar hallin e vet personal tek kontribuuesit, tek Partia Demokratike. Të cilët vetëm i kanë dhënë. Në fakt, njerëzit e bazës, demokratët, vetëm kanë dhënë e shumë pak kanë marrë. Fus dhe veten këtu në fakt.

 

Të gjithë ata ndër vite që kanë qenë përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike kanë marrë nga kontributi, nga djersa, nga sakrifica e demokratëve, njerëzve si ju. Dhe vetëm në aspektin njerëzor, kurrsesi nuk duhej menduar nga askush që nëse ndodhesh në një siklet, në një hall, nuk mund t’i marrësh njerëzit e t’i bësh bashkëvuajtës. Se praktikisht, ajo që ka bërë Berisha me demokratët është t’i bëjë bashkëvuajtës në hallin personal. Kjo është e papranueshme, Kjo është një çështje e cila ka shkaktuar pikërisht zallamahinë Brenda Partisë Demokratike”-tha Alibeaj.