Premierës së një prej filmave emblemë të kinematografisë shqiptare, “Gjeneral Gramafoni”, i ka bërë jehonë edhe Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.

 

“Edhe “Gjeneral Gramafoni” vjen në 2023”, shkruan Kryeministri Rama, duke kujtuar se filmi legjendar i vitit 1978 iu nënshtrua digjitalizimit duke bërë që kjo dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike të jetë aty për të gjithë brezat.

 

“Gjeneral Gramafoni” është restauruar në qendrën “Dabimus” srl në Bari.

 

Restaurimi i këtij filmi u bë falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filimit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë .

 

Më herët ministrja e Kulturës, Margariti njoftoi se, së bashku me premierën e filmit do të promovohet edhe libri i shkruar nga Ester Gjika “Film pas filmi – unë e bija e…”, si dhe një performancë e kabasë në klarinetë, interpretuar nga trioja virtuoze: Sokol Bimi: klarinetë, Fatmir Lela: llahutë; Ronaldo Deda: violinë.

 

“Gjeneral Gramafoni”, konsiderohet një film ikonë nën regjinë e të madhit Viktor Gjika, me skenar nga Vath Koreshi dhe muzikë nga Aleksandër Peçi.

 

Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve, ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i Dytë”, “Tana”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes”, etj.

 

Menjëherë pas realizimit të tij, “Gjeneral gramafoni” pati një jehonë të gjerë si brenda dhe jashtë vendit. Pas shfaqjeve në Shqipëri, filmi do të merrte pjesë në Festivalin e Filmit Ballkanik (1979) në Stamboll të Turqisë ku do të merrte Diplomë Nderi duke u vlerësuar si film shumë i arrirë edhe nga kritikët që ndiqnin festivalin.

 

Një vlerësim ndërkombëtar pati edhe për artistin e madh Bujar Lako i cili punoi dhe jetoi 24 orë në 24 me virtuozin Laver Bariu përgjatë gjithë fazës parapërgatitore të filmit për të interpretuar mjeshtërisht kabatë e mrekullueshme me klarinetë.