Në kantierin e “Rrugës së Lurës” rruga e shumëpritur lidhëse rajonale, 61 km Perlat (Mirëditë)-Lurë Arrëz (Peshkopi), vijon puna me ritme të larta për rikonstruksionin e saj.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna për ndërtimin e kësaj rruge.

 

Rama tha se kjo rrugë, e cila përmbyllet në fund të vitit, hap një portë të munguar mbi një prej bukurive më të rralla turistike të veriut, e duke shërbyer njëkohësisht edhe për zhvillimin ekonomik të zonave përreth.

 

Projekti për rikonstruksionin e rrugës parashikon ndërhyrje në aksin me gjatësi rreth 40.9 km dhe synon përmirësimin e kushteve të lëvizjes, duke luajtur një rol të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në rajonin e Lurës.

 

Në tërësi, ndërhyrjet parashikojnë ndërtimin e shtresave asfaltike të rrugës, nënshtresave, ndërtimin e mureve mbajtëse dhe pritëse, tombinove dhe veprave të artit në rrugë, si dhe sinjalistikën.