Kompani vendase dhe të huaja në fushën e zhvillimit të infrastrukturës portuale do të marrin pjesë sot në Tiranë në një takim informues pas prezantimit të projektit inxhinierik të portit të ri tregtar në Porto-Romano, Durrës.

 

Në këtë takim do të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të trupit diplomatik dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

 

Konsulentët ndërkombëtarë të Royal HaskoningDHV dhe Autoriteti Portual Durrës, nëpërmjet një njoftimi në prestigjiozen “Financial Times”, ftuan kompanitë vendase dhe të huaja në fushën e zhvillimit të infrastrukturës portuale, për të marrë pjesë në takimin konsultativ për zhvillimin e portit të ri tregtar dhe infrastrukturës portuale në Porto-Romano.

 

Në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës, ky takim konsultativ, për të gjithë komponentët inxhinierikë, financiarë dhe juridikë të projektit, i hap më tej rrugën çeljes së garës ndërkombëtare për financimin dhe ndërtimin e portit të ri.

 

Prezantimi i projektit inxhinierik të portit të ri tregtar në Porto-Romano, Durrës do të zhvillohet nën drejtimin e zv.kryeministres njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

 

Projekti i portit të ri tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Projekti për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano është bërë nga studioja holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale./ATSH