Një 25-vjeçar i kërkuar nga autoritetet italiane, i akuzuar si bashkautor i një plagosjeje të rëndë me armë zjarri, të kryer në Itali, më 3 mars të vitit 2022, është kapur në Kavajë.

 

Policia bën me dije se bazuar në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar nga autoritetet italiane, për krime kundër personit, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Parma”.

 

Në kuadër të këtij operacioni, është kapur në Kavajë dhe është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin R. D., 25 vjeç, banues në Kavajë.

 

25-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Parmas i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.

 

Më datë 3 Mars 2022, në Salsomaggiore Terme, Parma, shtetasi R. D., në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka plagosur rëndë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin shqiptar L. V.

 

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë.