Sektori bankar u përball me një rritje të rrezikut kibernetik vitin e kaluar.

 

Në raportin vjetor e saj vjetor, Banka e Shqipërisë bëri të ditur se viti 2022 u karakterizua nga një valë intensive sulmesh kibernetike ndaj sektorëve me rëndësi kritike në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe sistemin bankar.

Sipas bankës qendrore, disa prej këtyre sulmeve kanë rezultuar pjesërisht të suksesshme, por, në tërësi situata e sigurisë kibernetike në sistemin bankar ka vijuar të mbetet nën kontroll dhe pa incidente të materializuara.

 

“Sulmet kanë qenë dhe mbeten prezente drejt sektorit bankar, i cili ka rritur gradualisht vigjilencën në drejtimin e sistemeve mbrojtëse dhe parandaluese, si edhe investiguese.

 

Në këtë kontekst, gjatë vitit të kaluar janë evidentuar disa incidente të izoluara në sektorin e institucioneve jobanka dhe në një prej bankave. Incidenti i fundit krijoi si fillim disa vështirësi në vazhdimësinë e biznesit të bankës, e cila shumë shpejt arriti të rikuperojë dhe të kthejë shërbimin në normalitet,” thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

 

Në këto kushte, pothuaj përgjatë gjithë vitit 2022, por veçanërisht në periudhën e fundit të tij, bankat synuan të rrisin bashkëpunimin me palë të treta mbështetëse për sistemet e sigurisë dhe informacionit, me njëra-tjetrën dhe me AKCESK, duke maksimizuar sinergjitë nëpërmjet ndarjes së informacionit mbi rritjen e kontrolleve të sigurisë kibernetike, indikatorëve të kompromentimit, etj.

 

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë shprehet se ka qenë e vëmendshme ndaj kësaj situate, duke intensifikuar komunikimin me industrinë bankare, ku theksohet nevoja për vëmendje të shtuar në masat e sigurisë, veçanërisht në aksesin e palëve të treta në sistemet e bankës, si edhe raportimi në kohë sa më reale i incidenteve të ndodhura, me qëllim koordinimin e masave korrektuese.

 

Vitin e kaluar, edhe platforma e shërbimeve publike online, e-Albania, u bë objekt e një sulmi të rëndë kibernetik, që shkaktoi pezullimin disajavor të ofrimit të shumë shërbimeve dhe mbi të gjitha solli një rrjedhje masive të të dhënave personale dhe sensitive të administruara nga institucionet publike.

 

Në fakt, analiza e kryer nga kompania Microsoft tregoi se hackerat ishin infiltruar brenda platformës prej më shumë se një viti dhe strukturat e AKSHI nuk kishin arritur as ta parandalonin, madje as ta konstatonin praninë e tyre, deri në verën e vitit të kaluar.

 

Problemet e lidhura me sigurinë kibernetike kanë sjellë gjithashtu vonesa edhe në projektin e ndërveprimit mes paltformave të AKSHI dhe bankave tregtare, me qëllim mundësimin kryerjes së pagesave bankare për shërbimet online që ofrohen nëpërmjet portalit të e-Albania.

 

Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, ishte parashikuar që këto pagesa të mundësoheshin duke filluar nga janari i këtij viti. Por, megjithëse kanë kaluar katër muaj, projekti nuk është finalizuar dhe pagesat bankare për shërbimet publike të portalit e-Albania ende nuk janë të mundura./MONITOR