Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha sot brenda muajit shkurt qeveria shqiptare do të miratojë nivelin e pagave për profesionistët, që do të përfshihen si pjesë e administratës publike.

 

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Ibrahimaj tha sot se “në korrik Shqipëria ka qenë objekt i një sulmi kibernetik, i cili ka vënë në sprovë sistemet tona. Ne po punojmë për të pasur mundësinë që të kemi një ekip të kualifikuar IT me qëllim që qeveria të jetë një punëdhënës që është konkurrent me tregun ku sektori i IT të ketë paga të krahasueshme me tregun e mbase e më të larta se ato”.

 

“Sot tashmë sistemet janë baza e mirëqeverisjes dhe sisteme të forta do të thotë siguri për të gjithë. Ne kemi punuar intensivisht gjatë janarit me qëllim jo vetëm për finalizimin e strukturave për profesionistët e IT në të gjithë sektorin shtetëror, por edhe disa profesionistë të veçantë të kenë paga më të larta se pagat në treg si sektor brenda ministrive, të cilët do të kenë paga konkurrente me tregun”, nënvizoi Ibrahimaj.

 

Ministrja Ibrahimaj tha se “të gjitha këto vendime do të miratohen brenda muajit shkurt dhe ne synojmë që sektori publik të jetë punëdhënësi më i preferuar nga ato kategori profesionistësh, të cilët nuk janë afruar deri tani në profesione të paguara më mirë nga sektori privat”./ATSH